Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gurthemeli i demokracisë dhe se vendi duhet të punojë për të siguruar një proces transparent për zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, më një ligj të ndryshuar të zgjedhjeve.
Këto komente u bënë gjatë ceremonisë së dhurimit të një programi për digjitalizimin e disa operacioneve për regjistrimin e votuesve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga misioni i OSBE-së.
“Duke e pajisur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me këtë program bashkëkohor, ne nuk po mbështesim vetëm modernizimin e infrastrukturës zgjedhore por gjithashtu po u ofrojmë votuesve arsyet për t’i besuar procesit demokratik”, tha shefi i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport.
Ai tha se me këtë program kompjuterik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë në gjendje të thjeshtojë menaxhimin e zgjedhjeve, të përmirësojë saktësinë e të dhënave dhe në të njëjtën kohë të sigurojë rezultate në kohë dhe të besueshme.
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë thanë se me programin e ri do të lehtësohet ndryshimi i qendrës së votimit, regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta dhe regjistrimi i votuesve që jetojnë jashtë Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025
Kryetari i Komisionit, Kreshnik Radoniqi tha se me ligjin e ri për zgjedhjet që është miratuar nga parlamenti i Kosovës, procesi i votimit si brenda por edhe jashtë vendit ka pësuar ndryshime thelbësore dhe zbatimi i tij do të jetë sfidues në zgjedhjet e ardhshme.
“Por, shpreh gatishmërinë e KQZ-së për të përmbushur detyrat që dalin para nesh. Besoj se përvoja ndër vite e KQZ-së dhe suksesi në të kaluarën, do të jenë një motiv i lartë për të gjithë ne, që me sukses të realizojmë misionin tonë për organizim të zgjedhjeve me standarde të larta ndërkombëtare, duke siguruar shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve me të drejtë vote të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Zërin e Amerikës se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të parat pas vitit 2007 me ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor. Ai numëron disa nga ndryshimet.
“Dyfishimi i votës preferenciale nga pesë në dhjetë kandidatë, shtimi i të paktën dy mundësive të reja për votim jashtë vendit përkatësisht në misione diplomatike fizikisht dhe në adresat e tyre postare, heqja e votimit me kusht, heqja e heshtjes zgjedhore dhe një sërë ndryshimesh tjera e bëjnë pothuajse të pashmangshme ekzistimin e sfidave dhe problemeve në administrimin e procesit zgjedhor, ndonëse se KQZ-ja do të ketë kohë mese të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë proces“, tha zoti Cakolli.
Ai tha se misionet ndërkombëtare kanë kërkuar nga Kosova ndryshime kryesisht që lidhen vetëm me mënyrën e administrimit të zgjedhjeve por sipas tij partitë politike kanë përfshirë edhe çështje tjera që janë në interes të tyre.
“Pra çështja e votimit jashtë vendit ka qenë kërkesë e partisë në pushtet lëvizjes Vetëvendosje, rritja e votës preferenciale ka qenë kërkesë e Partisë demokratike të Kosovës, elemente tjera si qendra komunale kanë qenë kërkesë e partive tjera, pra thjeshtë janë bërë kompromise në dëm të integritetit zgjedhor të cilat do të ndikojnë negativisht edhe në mënyrës se si administrohet procesi zgjedhor por edhe në rezultatet që do të sjellin zgjedhjet”, tha zoti Cakolli.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
No Comments Yet...